Donika Emini tregon çfarë ndodhi në Bruksel: “Kosova u trajtua në mënyrë problematike”

Ekspertja e politikës së jashtme Donika Emini ka rrëfyer për Telegrafin episodin që, sipas saj, la pjesëmarrësit nga Kosova dhe Shqipëria të tronditur gjatë hapjes së Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel. Në qendër të reagimit ishte interpretimi i një kënge nacionaliste serbe, për të cilën Emini thotë se mohon shtetësinë e Kosovës.
Para forumit, Emini kishte marrë pjesë në një takim të mbyllur me komisioneren evropiane për Zgjerim, Marta Kos. Takimi, sipas saj, kishte për qëllim krijimin e një rrjeti të grave të përfshira në procesin e zgjerimit të BE-së. Aktiviteti për Ballkanin Perëndimor kishte nisur me një fjalim emocional nga një nënë e Srebrenicës.
Më pas, në hapjen e forumit, orkestra interpretoi këngë që përfaqësonin vende kandidate dhe vende të lidhura me procesin e zgjerimit. Emini shpjegoi se, kur erdhi radha e Kosovës, në ekran u shfaq titulli i një kënge që ajo e konsideroi tejet problematike, por u luajt vetëm pjesa instrumentale. Këngëtari, sipas saj, kishte interpretuar këngët e vendeve të tjera, përfshirë atë të Serbisë, ndërsa në rastin e Kosovës nuk këndoi tekstin.
Ajo tha se situata krijoi hutim dhe një atmosferë të rëndë në sallë. Emini u largua menjëherë për të kërkuar sqarime dhe, siç rrëfeu, foli edhe me pjesëmarrës të tjerë nga Kosova. Ajo donte të dinte se kush e kishte zgjedhur këngën dhe kush duhej të përgjigjej për vendimin.
Sipas Eminit, Marta Kos e kuptoi menjëherë ndjeshmërinë e situatës, pasi njeh serbishten dhe kishte parë titullin. Megjithatë, Emini tha se nuk e dinte nëse zgjedhja ishte koordinuar me zyrën e komisioneres apo ishte përgjegjësi e një personi tjetër të organizimit.
Emini e cilësoi mënyrën e paraqitjes së Kosovës si veçanërisht shqetësuese dhe ngriti pikëpyetje për mesazhin politik që mund të përcillej. Ajo tha se kishte përshtypjen se kënga mund të ishte zgjedhur për t’i kënaqur studentët e pranishëm, të cilët do të kishin një hapësirë të rëndësishme për të folur të nesërmen. Sipas saj, nëse veprimi ishte bërë nga dikush brenda Komisionit për të përmirësuar raportet me Serbinë, kjo do të ishte politikisht e dëmshme për Bashkimin Evropian.
Burimi ↗