Rolando Maran pas fitores ndaj Finlandës: Sot festojmë, nesër mendojmë për Bjellorusinë

Rolando Maran kërkoi që ekipi dhe tifozët ta shijojnë fitoren 2-0 ndaj Finlandës, përpara se të përqendrohen te sfida e radhës kundër Bjellorusisë. Trajneri i Kombëtares komentoi ndeshjen e raundit të pestë në Grupin C1 të Ligës së Kombeve, duke vlerësuar atmosferën dhe rezultatin.
“Jam i lumtur, si të mos jem! Përveç rezultatit, ishte një festë për të gjithë. Tifozët u argëtuan dhe u kthyen në shtëpi të lumtur për fitoren”, tha Maran. Ai shtoi se përgatitjet për ndeshjen e ardhshme do të nisin pas kësaj dite feste: “T’i gëzohemi sot kësaj fitoreje, nga nesër do të mendojmë për Bjellorusinë”.
Sipas trajnerit, Finlanda e bëri të vështirë ndeshjen, veçanërisht në fund të pjesës së parë, kur skuadra e tij u tërhoq dhe nuk ushtroi presionin e duhur. Maran tha se ekipi nuk duhet të bëhet pasiv, pasi kjo u jep kundërshtarëve hapësirë për të marrë iniciativën. Ai pranoi se, kur skuadra e ul ritmin, ka ende gjëra për të përmirësuar.
Maran vlerësoi edhe praninë e lojtarëve në zonën kundërshtare, por theksoi se tranzicionet duhet të jenë më të mira. Sipas tij, ekipi krijoi shumë raste dhe pati shumë prekje në zonë, edhe pse nuk regjistroi shumë gjuajtje, në një përballje që e përshkroi si të ekuilibruar.
Trajneri foli gjithashtu për Muçin dhe golat e tij, duke thënë se lojtari ka treguar se mund të realizojë në atë mënyrë dhe se beson te aftësitë e tij. Maran tha se i përgëzoi lojtarët, por tani duhet të rikuperohen për ndeshjen e së dielës. Sipas tij, Muçi ndihet i rëndësishëm për ekipin, njësoj si pjesa tjetër e skuadrës.
Burimi ↗